**Trajneri i Polonisë: Ishim shumë me fat, Shqipëria humbi raste kyçe**
Trajneri i Polonisë, Jan Urban, e ka cilësuar pa hezitim skuadrën e tij si me fat, pasi sipas tij, ekipi shpëtoi nga gola të sigurt të shpërdoruar nga Bajrami dhe Pilo gjatë përballjes kundër Shqipërisë.
Në deklaratat për mediat pas ndeshjes, ai theksoi se skuadra e tij kishte bërë gabime në pjesën e parë, duke e rikthyer Shqipërinë në lojë dhe më pas duke i dhënë mundësinë asaj që të fitonte ndeshjen.
“Në fillim, në 10-15 minutat e para, Shqipëria nuk arrinte të dilte nga gjysma e vet e fushës. Gjithçka dukej e qetë, pasi dukej sikur ishte vetëm çështje kohe përpara se të shënonim. Por, në një farë mënyre, ne e nxitëm kundërshtarin të fillonte të luante dhe të mbante topin më shpesh. Shihej që po rriteshin dhe po fillonin të besonin te vetja,” u shpreh Urban.
Lidhur me gabimet e shumta, ai tha: “Pse kaq shumë gabime? Edhe unë do të doja ta dija përgjigjen, sepse në të vërtetë ishin gabime elementare, madje edhe në rastin e golit të pësuar. Do të flas me lojtarët për këtë, por dyshoj se faktorë të tillë si përgjegjësia, ndoshta njëfarë stresi dhe fakti që në një moment gjërat nuk po shkonin sipas dëshirës sonë, luajtën një rol të madh. Kjo shpesh çon në një lojë nervoze dhe vendime të gabuara. Është thjesht futboll. Është njëlloj si kur shënohet një gol dhe ekipi rifiton besimin, duke filluar të luajë më mirë, edhe pse disa mund të thonë se na kundërsulmuan një herë dhe patën një shans për ta bërë rezultatin 2-1. Ndoshta ishim shumë të etur për fitore dhe ndonjëherë sulmuam me shumë lojtarë, duke harruar se shqiptarët mund të ishin të rrezikshëm në kundërsulm. Nuk kam asnjë dyshim se ishim shumë me fat në ato situata.”
Për rastin e humbur për 0-2 nga Shqipëria, trajneri polak shtoi: “E dija që ishte një moment shumë i rëndësishëm, si për ta ashtu edhe për ne, megjithatë, kurrë nuk mendova se, edhe nëse do të shënonin për të bërë rezultatin 0-2, loja do të kishte përfunduar.”
Duke folur për menaxhimin e stresit, Urban theksoi: “Mendoj se e përballoj mirë stresin. Dhoma e zhveshjes ishte e qetë gjatë pushimit mes pjesëve. Këto nuk janë momente kur emocionet duhet të më pushtojnë,” përfundoi ai para gazetarëve pas përfundimit të sfidës.
