5 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Mamive dhe fillimin e Javës së Infermierisë, raporton Ekonomia Online.
Si shkak i kësaj Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë ka organizuar një ceremoni ku u dhanë mirënjohje për stafin shëndetësor.
Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori tha se kjo ditë shënon moment të veçantë dhe se jepet mundësia për t’i vlerësuar profesionistët që janë në vijë të parë të kujdesit shëndetësor.
Ajo, po ashtu tregoi edhe hapat e fundit që kanë ndëmarrë në mbështetje të anëtarëve të tyre.
“Sot po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Mamisë dhe njëkohësisht po hapim edhe Javën e Infermierisë. Dy momente të rëndësishme që na japin mundësi të vlerësojmë kontributin e jashtëzakonshëm të profesionistëve që janë në vijën e parë të kujdesit shëndetësor. Në këtë ditë të veçantë vëmendja jonë i kushtohet mamive që janë pranë jetës që në fillimin e saj. Ato janë aty në momentet më të ndjeshme, më sfiduese, por edhe më të bukura për çdo familje. Me përkushtim, profesionalizëm dhe empati, mamitë janë mbështetja e parë për nënat dhe foshnjat, duke dhënë siguri në një nga proceset më të rëndësishme të jetës. Roli juaj nuk është vetëm profesional, është thellësisht njerëzor. Ju bartni përgjegjësi të mëdha, shpesh në kushte jo të lehta, por gjithmonë me integritet të lartë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj jetës edhe shëndetit. Si Odë i Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë, ne mbetemi të përkushtuar që të jemi zëri juaj, për të mbrojtur dinjitetin tuaj profesional dhe të angazhohemi për kushte më të mira pune, zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe vlerësim të merituar për punën që ju bëni çdo ditë. Në këtë drejtim dua të theksoj edhe dy hapa konkretë që kemi ndërmarrë së fundmi në mbështetje të të gjithë anëtarëve tanë. Së pari, oda tashmë ka nisur ofrimin e shërbimeve të avokatit për anëtarët e saj. Kjo mbështetje përfshin këshillim juridik profesional, asistencë në rast të kontesteve në vendin e punës, mbrojtje në procedura disiplinore apo administrative, si dhe orientim ligjor në çdo situatë ku cenohet e drejta profesionale e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë. Qëllimi ynë është i qartë, që asnjë anëtar të mos ndihet i pambrojtur përballë sfidave ligjore në ushtrimin e profesionit të tij. Së dyti, kemi nënshkruar dje një marrëveshje për sigurime jetësore për të gjithë anëtarët tanë. Kjo marrëveshje sjell përfitime konkrete duke ofruar mbrojtje financiare për familjet e anëtarëve në rast fatkeqësie dhe siguri shtesë për vetë profesionistët. Zbatimi i saj do të bëhet përmes procedurave të thjeshta të aplikimit, ku çdo anëtar i odës do të ketë mundësi të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo skemë. Sot është një moment vlerësimi konkret. Do të ndajmë mirënjohje për mami dhe infermierë të përkushtuar, të cilët janë përzgjedhur nga vetë institucionet ku ju shërbeni. Kjo është një dëshmi e respektit edhe mirënjohjes për punën tuaj të palodhshme dhe ndikimin që keni në jetën e pacientit. Java e Infermierisë që po nisim sot do të jetë një mundësi shtesë për të theksuar rolin e pazëvendësueshëm të infermierëve në sistemin shëndetësor dhe për të ngritur më tej ndërgjegjësimin për sfidat dhe nevojat e këtij profesioni”, tha Gori.



