Eurodeputeti Riho Terras, i cili është edhe raportues i Kosovës në Parlamentin Europian, ka komentuar vendimin e SHBA’së për tërheqjen e 5000 trupave amerikane nga Gjermania.

Ai tha se ky plan për tërheqje trupash s’është katastrofë, por se më serioze është situata për anulimin e raketave Tomahawk.

“Plani për të tërhequr 5,000 trupa amerikane nga Gjermania nuk është një katastrofë.
Shumë më serioze është anulimi i vendosjes së raketave Tomahawk. Estonia, Letonia, Lituania, Polonia duhet të veprojnë SË BASHKU dhe të bindin Donald Trump që të përdorë trupat nga Gjermania për të forcuar Korridorin e Suwałki-t”, shkroi ai në X.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA do të tërheqë 5,000 – dhe ndoshta edhe shumë më tepër – trupa të stacionuara në Gjermani, pasi kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi mënyrën se si SHBA po e trajton konfliktin me Iranin, duke thënë se Teherani e kishte “poshtëruar” Uashingtonin.