Ish-deputetja e Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ajo, “ambicie për pushtet absolut”, duke e lidhur këtë me vendimin që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.

Musliu-Shoshi ka thënë se kjo situatë është e paprecedentë dhe i kushton qytetarëve mbi 10 milionë euro.

“Krejt kjo ambicie e tij, mos të harrojmë ta theksojmë që qytetarit i kushton 10 milionë euro. Ambicia e Albin Kurtit që të ketë pushtet absolut. Ta dërgoj vendin në zgjedhje duke i pas 51.1 për qind. Duke e dërguar vendin në zgjedhje për herë të parë për president. Sepse asnjëherë republika e jonë nuk ka shkruar në zgjedhje shkaku i presidentit. Sepse gjithmonë ka pas bashkëpunime, ka pas një konsensus të përgjithshëm. Është here e parë që Albin Kurti e dërgon vendin në zgjedhje shkaku i presidentit. Vetëm dhe vetëm për ambicien e tij, për pushtet absolut. E kjo ambicie e tij, qytetarit i kushton më shumë se 10 milionë”, ka thënë Musliu-Shoshi në TV Dukagjini.