**IPK arreston tre zyrtarë policorë në operacion të përbashkët me Prokurorinë, ndalohen për 48 orë**
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në një operacion të përbashkët të zhvilluar sot me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka arrestuar tre zyrtarë policorë, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Operacioni u realizua në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë këtij aksioni, u bastisën pesë persona zyrtarë dhe dy civilë, të gjithë të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale.
IPK-ja ka njoftuar përmes një komunikate se në objektin e saj janë shoqëruar katër zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast. Pas intervistimit, tre prej tyre u arrestuan dhe u ndaluan për 48 orë, ndërsa për zyrtarin e katërt rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt hetimore.
Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.
Në interes të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të katër zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast. Hetimet vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe priten veprime të tjera hetimore në përputhje me ligjin.
