FFK dhe Komuna e Prishtinës organizojnë aktivitete për ndeshjen Kosovë-Turqi
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, pas fitores së rëndësishme ndaj Sllovakisë, përgatitet për një përballje vendimtare kundër Turqisë. Ndeshja, që do të luhet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka si objektiv kualifikimin historik të Kosovës në Kampionatin Botëror.
Për të krijuar një atmosferë festive dhe për të mundësuar ndjekjen kolektive të kësaj ndeshjeje të rëndësishme, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do të organizojnë sot aktivitete të veçanta në kryeqytet. Qytetarët do të kenë mundësinë të ndjekin përballjen përmes ekraneve gjigante, me synimin për të përçuar emocionin dhe krenarinë e mbështetjes ndaj Kombëtares.
