Zelensky akuzon Moskën: Kërkojnë leje për paradë, ndërkohë vazhdojnë sulmet

Në një mesazh të fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se kërkon “leje” nga Ukraina për të zhvilluar paradën ushtarake në Sheshin e Kuq, ndërkohë që vazhdon sulmet kundër popullsisë.

“Rusia kërkon lejen tonë për të bërë paradë në Sheshin e Kuq për një orë, ndërsa më pas vazhdon të vrasë njerëz”, deklaroi Zelensky.

Ai e cilësoi logjikën e udhëheqjes ruse si “absurde dhe të papranueshme”.

Zelensky shtoi se Ukraina kishte propozuar armëpushim, por Rusia, sipas tij, ishte përgjigjur me sulme dhe kërcënime.

Presidenti ukrainas u bëri thirrje gjithashtu liderëve të vendeve që planifikojnë të marrin pjesë në festimet e 9 Majit në Moskë, që të rishqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre.

9 Maji shënon në Rusi përvjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe festohet çdo vit me një paradë ushtarake madhështore në Sheshin e Kuq të Moskës.