**Hezbollahu merr përsipër sulmin e parë në Izrael që nga armëpushimi**
Hezbollahu ka marrë përsipër sulmin ndaj një baze ushtarake në Izrael të premten, duke shënuar herën e parë që grupi militant i mbështetur nga Irani ka deklaruar publikisht përgjegjësinë për një sulm ndërkufitar, që prej vendosjes së armëpushimit delikat midis Izraelit dhe Libanit në mes të prillit.
Në një deklaratë, Hezbollahu njoftoi se shënjestroi një bazë ushtarake në jug të qytetit të Nahariyas, duke përdorur “një breshëri raketash të përparuara” të premten pasdite.
Më herët gjatë së premtes, Forcat Ajrore Izraelite përgjuan disa lëshime raketash, pasi u zbuluan “një numër lëshimesh drejt territorit izraelit”, sipas ushtrisë izraelite. “Lëshime të tjera ranë në zona të hapura. Nuk u raportuan të lënduar,” theksoi ushtria në një deklaratë, duke akuzuar Hezbollahun për “një shkelje tjetër të armëpushimit.”
Ushtria izraelite ka deklaruar disa herë se predha të lëshuara nga Hezbollahu kanë rënë në Izraelin verior, që prej shpalljes së marrëveshjes së armëpushimit nga SHBA-të, e cila hyri në fuqi në mesnatë sipas orës lokale më 17 prill, raporton CNN.
Veçmas, Hezbollahu po ashtu bëri me dije se kishte vënë në shënjestër një grumbullim automjetesh ushtarake izraelite me dronë sulmues në Tayr Harfa në Libanin jugor.
Si Izraeli, ashtu edhe Hezbollahu, kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të kushteve të armëpushimit, i cili u zgjat me tre javë në fund të prillit.
