Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur bindjen e tij se do të formojë qeverinë “Kurti 4”, duke theksuar se prioriteti kryesor i mandatit të ardhshëm do të jetë sigurimi i statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një status që Kosova, sipas tij, “e ka merituar prej kohësh”.

Me rastin e Ditës së Evropës, Kurti reflektoi mbi themelimin e Bashkimit Evropian mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Ai citoi Robert Schumanin, themeluesin e projektit evropian, i cili theksonte se Evropa do të ndërtohej përmes arritjeve konkrete që krijojnë solidaritet. Kryeministri theksoi se çelësi i paqes, që Evropa gëzon prej afro tetë dekadash, ishte krijimi i institucioneve të përbashkëta që i shndërruan rivalët historikë në partnerë.

Për Kosovën, shekulli i njëzetë u jetua ndryshe, me luftëra dhe gjenocidin serb, duke lënë projektin evropian si një premtim paqeje të papërfunduar deri në fund të shekullit. Për këtë arsye, Kurti shtoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk është thjesht çështje prosperiteti dhe mirëqenieje, por “është domosdoshmëri për të siguruar paqen e qëndrueshme në Evropë”.

Duke vënë në pah progresin e Kosovës, Kurti deklaroi se vendi është “demokracia më e zhvilluar dhe ekonomia me rritjen mesatare më të lartë në rajon”. Ai renditi aplikimin për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e vizave si hapa historikë të mandatit të kaluar. Për mandatin e ardhshëm, objektivat janë të qarta: “statusi i kandidatit, hapja e negociatave dhe avancimi që Kosova e ka merituar prej kohësh”.