Reportazhi “Një gjuhë për dhimbjen” nominohet për çmimin më prestigjioz të gazetarisë në Zvicër
Reportazhi prekës “Një gjuhë për dhimbjen” (Eine Sprache für den Schmerz), i gazetares Tuğba Ayaz, që rrëfen historinë e kosovarit Nazmi Kadriu dhe familjes së tij, është nominuar zyrtarisht për Çmimin e Gazetarisë së Zürichut. Ky çmim vlerësohet si më prestigjiozi në fushën e gazetarisë në Zvicër. Shkrimi i Ayaz është përzgjedhur në mesin e nëntë punimeve më të mira të vitit, ku tre prej tyre do të shpërblehen me nga 10 mijë franga zvicerane.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 12 maj 2026, në qendrën e eventeve “Kaufleuten” në Zürich. Ky eveniment mbështetet nga katër shtëpitë më të mëdha mediatike në Zvicër: CH Media, NZZ, Ringier dhe Tamedia. Artikulli i Tuğba Ayaz u botua më 15 shkurt 2025 në portalin zviceran “Republik”, i njohur si një prej platformave më inovative të gazetarisë në vend.
Nazmi Kadriu, sot 75 vjeç, ishte një nga mijëra shqiptarët e Kosovës që gjatë viteve ’90 punoi në Zvicër me statusin e punëtorit sezonal. Ky status, i rregulluar me ligj që nga viti 1934, i detyronte punëtorët të punonin nëntë muaj dhe të largoheshin për tre muaj nga Zvicra, duke ua ndaluar rreptësisht marrjen e familjes me vete.
Rrëfimi nis në vitin 1992, në kantonin Jura, ku Nazmiu punonte në një fermë. Ai kujton se puna fizike ishte më e lehtë sesa uria. Fermeri zviceran ankohej se ai hante shumë, ashtu si “jugosllavët dhe italianët e tjerë”, duke e detyruar Nazmiun të ushqehej me mollë të papjekura të gjetura nëpër fusha, vetëm për të mbushur barkun. Por, dhimbja më e madhe ishin netët: vetmia dhe shqetësimi për gruan dhe tre fëmijët që kishin mbetur në Prishtinë, nën presionin e egër të regjimit serb.
Në vitin 1990, kur Nazmiu u largua nga Kosova pasi humbi punën në minierë, ai nuk e dinte se do të bëhej shërbëtor i një fermeri për 1200 franga në muaj, duke punuar deri në 12 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Për pesë vite me radhë, ai jetoi i ndarë nga familja. Statusi i punëtorit sezonal e shihte atë vetëm si krah pune, jo si qenie njerëzore me të drejta integrimi.
Djali i tij, Lulzimi, sot 46 vjeç dhe drejtues punimesh në ndërtim, kujton se si fëmijë nuk e kuptonte pse babai duhej të ikte gjithmonë. Ai sillte çokollata, dhurata, para e ngrohtësi, por pas tre muajsh ai zhdukej përsëri, tregon Lulzimi në reportazh. Për nënën e tij, jeta në Kosovë ishte një luftë e përditshme me sëmundjen, varfërinë dhe frikën nga policia serbe, ndërsa djali i madh, Lulzimi, duhej të merrte përsipër përgjegjësitë e prindit që në moshën 12-vjeçare.
Vetëm në vitin 1995, pas pesë vitesh ndarje, Nazmiu arriti të fitonte lejen e qëndrimit (vizën B) dhe të merrte familjen në Zvicër. Por, trauma e ndarjes kishte lënë gjurmë të thella. Edhe sot, familja Kadriu e ka të vështirë të gjejë fjalët për të përshkruar atë dhimbje. Nazmiu rrëfen se me bashkëshorten e tij nuk kanë folur kurrë për ato pesë vite ndarje: “Është shumë e rëndë,” thotë ai me lot në sy.
Lulzimi ka vendosur ta thyejë këtë heshtje. Ai është bërë pjesë e shoqatës “Tesoro”, e cila kërkon njohjen e vuajtjeve të familjeve të ish-punëtorëve sezonalë. Sipas historianit Toni Ricciardi, rreth gjysmë milioni familje janë prekur nga kjo ndarje strukturore e detyruar nga shteti zviceran.
Shkrimi i Tuğba Ayaz nuk është vetëm një retrospektivë historike. Ai vjen si një paralajmërim në një kohë kur e drejta për bashkim familjar po vihet përsëri në pikëpyetje në politikën zvicerane. Autorja thekson se debatet e sotme për kufizimin e bashkimit familjar për personat e pranuar përkohësisht janë një vazhdimësi e asaj dhune strukturore që dikur shkatërroi fëmijërinë e shumë fëmijëve të punëtorëve sezonalë.
“Ata punuan për pak para, në punë që zviceranët nuk i bënin, ndërsa trajtoheshin si njerëz të dorës së dytë,” thotë Lulzimi. Për këtë arsye, sakrifica e tyre duhet të njihet, kërkon ai, sepse punëtorët sezonalë kanë ndërtuar themelin e artë mbi të cilin qëndron Zvicra.
