Zafir Berisha nuk kandidon në zgjedhjet e ardhshme, parashikon zgjedhje të reja pas tre muajsh

Ish-deputeti i disa legjislaturave në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berisha, ka bërë të ditur se nuk do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e radhës.

Berisha theksoi se vendimi vjen si pasojë e disa shqetësimeve shëndetësore, duke e bërë të pamundur kandidimin e tij në këto zgjedhje.

Megjithatë, ai shprehu bindjen se Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme pas vetëm tre muajsh.

“Edhe pse kam pasur oferta, nuk kam pranuar, sepse këto zgjedhje i konsideroj të kota. Pas tre muajsh, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, pasi numri i analfabetëve politikë vazhdon të dominojë në Kosovë,” deklaroi ai për IndeksOnline.

Berisha kishte qenë kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 28 dhjetorit të fundit.