KQZ pranon listat me 917 kandidatë për zgjedhjet e 7 qershorit, 23 subjekte dorëzojnë propozimet, 4 parti jashtë afatit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar zyrtarisht listat me gjithsej 917 kandidatë për deputetë, të paraqitura nga 23 subjekte politike, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Ndërkohë, katër parti politike, të cilat paraprakisht kishin shprehur interesin për pjesëmarrje, nuk kanë dorëzuar listat e tyre brenda afatit. Lajmi bëhet i ditur nga Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi për Ekonomia Online se afati për dorëzimin online të listave të kandidatëve nga subjektet politike, që synojnë certifikimin për zgjedhje, u përmbyll më 12 maj.
Elezi theksoi se KQZ-ja ka njoftuar mbylljen e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë më 12 maj, si hap i domosdoshëm për certifikimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Gjatë periudhës 11-ditore, nga data 2 deri më 12 maj, KQZ-ja pranoi listat nga 23 subjekte politike. Këto përfshijnë 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat të pavarur. Ai shtoi se katër parti, të cilat kishin deklaruar pjesëmarrjen, nuk kanë arritur të dorëzojnë listat brenda afatit ligjor.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të propozuar arrin në 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 gra. Procesi i certifikimit të këtyre kandidatëve pritet të përfundojë deri më 15 maj, pas shqyrtimit nëse ata plotësojnë të gjitha detyrimet e nevojshme.
Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë e kandidatëve për certifikim, KQZ-ja do t’u dërgojë kërkesa për verifikim institucioneve relevante, së bashku me listat e kandidatëve. Ky verifikim synon të vlerësojë përputhshmërinë e tyre me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e mëparshme zgjedhore.
