Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten e listës zgjedhore të partisë, Vjosa Osmani, zhvilluan sot një takim me mësimdhënës në lagjen Dardania.
Përmes një postimi në platformën “Facebook”, z. Abdixhiku bëri të ditur se në këtë takim u diskutua për sfidat e arsimit në vend, duke theksuar vlerën e lartë të mësuesve, të cilët ndërtojnë dije, karakter, kulturë dhe qytetari.
Ai e cilësoi profesionin e mësuesit si më fisnikun, duke nënvizuar se ata mbajnë mbi supe një nga përgjegjësitë më të mëdha të shoqërisë – edukimin e brezave të rinj. Diskutimet u përqendruan te shkolla, sfidat e arsimit, lodhja e përditshme, por edhe dashuria e mësimdhënësve për profesionin e tyre. Abdixhiku theksoi se mësuesi nuk ndërton vetëm dije, por edhe karakter, kulturë, qytetari dhe të ardhmen e një vendi.
Gjatë takimit u fol edhe për reformën e quajtur “Jehona”, e cila u prezantua si një model kombëtar i arsimit. Kreu i LDK-së theksoi se Kosova duhet ta kthejë arsimin në prioritet të vërtetë kombëtar, duke ofruar më shumë mbështetje për mësimdhënësit, kushte më të mira në shkolla dhe dinjitetin që meriton ky profesion fisnik.
Duke përmbyllur mesazhin e tij, Abdixhiku deklaroi: “Aty ku respektohet mësuesi, ndërtohet e ardhmja.”
