**Vajza 12-vjeçare goditet nga vetura afër shkollës në Prishtinë, nëna denoncon vonesat institucionale**

Një vajzë 12-vjeçare është goditur nga një veturë sot afër shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë. Nëna e saj, Laureta Berisha Kosumi, ka shprehur pakënaqësi të thellë për vonesat dhe mungesën e ambulancës nga institucionet përgjegjëse.

Kosumi ka treguar se pas aksidentit, policia ka vonuar të arrijë në vendin e ngjarjes, dhe nuk ka pasur ambulancë të lirë për të transportuar të miturën. Për pasojë, familja është detyruar ta dërgojë vetë vajzën në qendrën emergjente.

Fatmirësisht, vajza nuk ka pësuar lëndime serioze fizike, por, sipas Kosumit, ajo ka përjetuar frikë dhe tronditje të madhe emocionale pas ngjarjes.

Policia ka mbërritur në vendin e aksidentit rreth një orë pas ngjarjes, fakt ky që ka nxitur kritikat e nënës ndaj reagimit të institucioneve. Ajo theksoi se “raste të tilla i bëjnë qytetarët të ndihen të pambrojtur dhe të lënë pas dore”.