Komuna e Prishtinës Heq Panel Ekspozite Për Shkak Të Pasaktësive
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 10:00, do të ndërmarrë veprimin e heqjes së panelit të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, i vendosur në sheshin “Nënë Tereza”. Ky vendim vjen pas evidentimit të gabimeve dhe pasaktësive të shumta në përmbajtjen e ekspozitës.
Nëpërmjet një komunikate për media, Komuna sqaroi se ekipet e Kryeqytetit do të veprojnë sipas vendimit të Kryetarit Përparim Rama, i cili ka pezulluar lejen e ekspozimit.
“Ju njoftojmë se sot, me datë 28.03.2026, duke filluar nga ora 10:00, ekipet e Kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”. Ky veprim vjen pas vendimit të Kryetarit të Kryeqytetit z. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Lidhur me këtë çështje, vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka reaguar, duke theksuar se në kryeqytet nuk ka vend për ekspozita me gabime dhe pasaktësi të tilla.
