Organizatorët e Ballon d’Or kanë sqaruar zyrtarisht se futbollistët që aktivizohen në klube jashtë Evropës kanë të drejtë të fitojnë çmimin më prestigjioz individual në futboll.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, llogaria zyrtare e Ballon d’Or konfirmoi se nuk ekziston asnjë rregull që kufizon kandidimin apo fitimin e trofeut vetëm për lojtarët që luajnë në Evropë, shkruan IndeksOnline.

Sipas sqarimit, një kufizim i tillë nuk ka qenë në fuqi që prej vitit 2007, çka do të thotë se çdo futbollist, pavarësisht kontinentit ku luan, mund të vlerësohet dhe të shpallet fitues nëse plotëson kriteret sportive.

Ky sqarim vjen pas diskutimeve të shumta në opinionin sportiv lidhur me mundësinë që lojtarë të transferuar në kampionate jashtë Evropës, si ai saudit apo amerikan, të jenë ende në garë për fitimin e Topit të Artë.

E në rrjetet sociale tashmë kanë nisur spekulimet që kjo është bërë për t’i dhuruar Leo Messit edhe një herë Topin e Artë, për të nëntën herë.

39-vjeçari i cili luan te Inter Miami, ka arritur në finale të Kupës së Botës me Argjentinë, ku të dielen do të përballet me Spanjën.

Në rast se Messi do ta fitonte përsëri Kupën e Botës, do të ishte në mesin e të nominuarve dhe një prej favoriteve kryesor për ta fituar Topin e Artë.

Ai gjatë këtij kampionati botëror ka shënuar 8 gola dhe ka bërë 4 asistime./IndeksOnline/