Abdixhiku prezanton platformën “Hajde folim”: Politika duhet të jetë mes njerëzve

**Prishtinë** – Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar platformën e re të komunikimit me qytetarët, të quajtur “Hajde folim”. Qëllimi i kësaj iniciative, sipas tij, është vendosja e një dialogu të drejtpërdrejtë dhe të hapur me qytetarët.

Abdixhiku theksoi se platforma do të ofrojë një qasje “pa skenografi protokolare, pa filtra dhe ballë për ballë”, duke synuar dëgjimin e zërit të qytetarëve dhe të vërtetën e përditshme të Kosovës.

“Politika nuk duhet të jetojë e mbyllur në zyra, studio televizive apo rrjete sociale. Politika duhet të jetë mes njerëzve”, tha Abdixhiku. Ai shtoi se Kosova ka nevojë për më pak propagandë dhe më shumë dëgjim, si dhe më pak zhurmë e më shumë kuptim.

Iniciativa ka nisur sot në Kurriz dhe pritet të vazhdojë në çdo qytet e shesh të Kosovës. Përmes këtyre takimeve, Abdixhiku shprehu dëshirën për të biseduar hapur me qytetarët për jetën, brengat, zhgënjimet, shpresat dhe idetë e tyre për vendin, me qëllim ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët përpara.

Me thirrjen “Ejani në ngjarjet e radhës. Hajde folim!”, Abdixhiku ftoi qytetarët të marrin pjesë aktive në këtë platformë dialogu.