**AGK: Dënimi i sulmueses së gazetareve, fitore për drejtësinë dhe lirinë e medias**
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila shpalli fajtore Mirvete Baraliun për sulm dhe kanosje ndaj gazetareve të portalit lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha.
Baraliu u dënua me një vit burgim me kusht për veprën penale të sulmit, dhe me një gjobë prej 2 mijë eurosh për kanosje.
Incidenti kishte ndodhur në prill të vitit 2024, kur dy gazetaret e Lajmi.net u sulmuan gjatë kryerjes së detyrës. Pas sulmit, ato kërkuan trajtim mjekësor; gazetarja Lindita Berisha ishte shtatzënë në atë kohë.
Përmes një deklarate publike, AGK e ka vlerësuar vendimin si një hap të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias në Kosovë. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpret këtë vendim të shkallës së parë dhe e konsideron fitore në avokimin e vazhdueshëm për dënimin e sulmeve ndaj gazetarëve,” thuhet në reagimin e AGK-së.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me prioritet edhe rastet e tjera të sulmeve ndaj gazetarëve dhe të sigurojnë një zgjidhje të drejtë ligjore për to. AGK gjithashtu ka kërkuar masa ndëshkimore më të ashpra ndaj individëve që sulmojnë gazetarët gjatë kryerjes së detyrës, duke theksuar se siguria e punonjësve të medias është thelbësore për informimin e publikut dhe funksionimin e demokracisë.
