Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpërsisht kanosjen ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, themelues i “Vox Kosova”, dhe ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikimin e sigurisë së tij fizike. Kanosja e ndodhur mbrëmë, për të cilën u arrestua ish-deputeti Gani Geci, është një akt i papranueshëm.

AGK-ja rithekson se e drejta për të shprehur mendimin e lirë mbi çështjet dhe figurat publike, përfshirë deputetët, është themelore në një shtet demokratik.

Asociacioni ka vlerësuar reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e Prokurorisë për ta trajtuar rastin me seriozitetin e duhur.

Gjithashtu, AGK-ja i bën thirrje Policisë së Kosovës të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë fizike të Mehmetajt dhe familjes së tij.

Kanosja ndaj gazetarit Mehmetaj dëshmon për klimën e vështirë në të cilën ushtrohet gazetaria në Kosovë dhe thekson nevojën urgjente për t’i dhënë fund çdo forme intimidimi ndaj profesionistëve të medias. Aktet e tilla përbëjnë një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.