**Aksident tragjik: Vdes ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Laurent Krasniqi; shoferi arrestohet**

Mbrëmë, në fshatin Llukar të Prishtinës, ndodhi një aksident i rëndë trafiku, ku u përfshinë një veturë dhe një motoçikletë.

Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti pësoi lëndime fatale dhe u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Megjithë përpjekjet mjekësore, mjekët në Emergjencë konfirmuan vdekjen e tij.

Viktima u identifikua si Laurent Krasniqi, i njohur për publikun si ish-banor i edicionit të “Big Brother VIP Kosova”.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.

Ndërkohë, shoferi i automjetit, i përfshirë në aksident, është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Rasti është raportuar rreth orës 20:17. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik janë në vijim.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksidenti ka përfshirë një veturë dhe një motoçikletë. Ata konfirmojnë se motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda, është dërguar në QKUK ku mjeku ka konstatuar vdekjen e tij. Po ashtu, raportohet se trupi i viktimës është dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit, ndërsa shoferi i dyshuar është arrestuar dhe ndodhet në mbajtje.