Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Njësitin Antidrogë të Policisë së Kosovës, ka zhvilluar sot një aksion të gjerë në një fshat të komunës së Pejës. Gjatë këtij operacioni, u zbulua një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, si dhe një laborator i pajisur për prodhimin e tyre.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi. Ai bëri të ditur se operacioni u zhvillua me pjesëmarrjen e të gjitha njësive policore përkatëse, përfshirë Njësitin Antidrogë, dhe në bashkëpunim me prokurorin e krimeve të rënda.

Nikçi theksoi se përveç sasisë së drogës, u gjet edhe një laborator i kompletuar për prodhimin e substancave narkotike. Ai shtoi se priten edhe arrestime në lidhje me këtë rast, ndërsa veprimet hetimore vazhdojnë në vendin e ngjarjes.