Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër zyrtarë komunalë dhe dy pronarë operatorësh ekonomikë, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik. Akuzat, të ngritura nga Departamenti i Krimeve të Rënda, lidhen me veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414) dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” (neni 415) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, D.M. dhe A.K., në rolet e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit, kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare. Ata, gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugëve lokale “Fejzë Koliqi – Gashi”, “Smajl Sadria” dhe “Isuf Meta” në fshatin Javor, kanë aprovuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 eurosh, ndonëse rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Këto veprime i kanë mundësuar operatorit ekonomik një përfitim të kundërligjshëm në shumën prej 9,050 eurosh, si dhe i kanë shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.
Në një rast tjetër, të pandehurit E.SH. dhe I.H., po ashtu menaxherë kontrate dhe mbikëqyrës, kanë aprovuar punime dhe kanë lejuar pagesa në shumën prej 17,124.10 eurosh lidhur me projektin e rrugëve “Hafir Gashi”, “25 Gushti” në fshatin Javor dhe “Osman Dalipi” në fshatin Luzhnicë. Kjo ka ndodhur pavarësisht dijenisë së tyre se rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Për pasojë, operatorit ekonomik i është mundësuar një përfitim i kundërligjshëm prej 6,439.82 eurosh dhe i është shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Ndërkaq, të pandehurit XH.K. dhe A.S., në cilësinë e personave përgjegjës të operatorëve ekonomikë kontraktues, akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e parapara me kontratat e prokurimit publik. Ata kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin përfunduar në tërësi, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme mjete publike dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Prokurori i çështjes, me ngritjen e aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, si dënim plotësues, është kërkuar ndalimi i ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik për të gjithë të akuzuarit.
