Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet E.K., i cili dyshohet për trafikim dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve. Gjatë këtij rasti, autoritetet i kanë sekuestruar mbi 10 mijë euro dhe sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Sipas aktakuzës, policia fillimisht ndaloi E.K. më 12 shtator 2025, rreth orës 20:15, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, teksa ai po lëvizte me motoçikletë. Gjatë kontrollit, në çantën e tij u gjetën nëntë qese plastike me substancë narkotike me peshë totale 12.82 gram, si dhe shuma prej 945 euro dhe 2000 lekë.

Më pas, u realizua kontrolli dhe bastisja në shtëpinë e të pandehurit. Atje u sekuestruan edhe 9.990 euro, 10 franga zvicerane, disa qese najloni të mbushura me substanca në formë bari dhe pluhuri, katër peshore digjitale, disa qese të zbrazëta najloni, gërshërë, thikë dhe një lugë e vogël, të gjitha këto dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotike.

Raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzik (AKF) konfirmoi se substancat e sekuestruara përmbanin 187.41 gram marihuanë dhe 4.56 gram kokainë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, thekson se E.K. akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafit 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.