Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të përfshirë në tentativën për futjen e substancave narkotike në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ngjarje në të cilën është implikuar edhe një zyrtar i kësaj qendre.

Aktakuza është ngritur ndaj S.D., A.D. dhe B.T., të cilët dyshohen për vepra penale që lidhen me narkotikët dhe korrupsionin.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën e Dubravës, dyshohet se ka poseduar 85.61 gramë marihuanë me qëllim shpërndarjeje, të cilën kishte tentuar ta fuste brenda institucionit për një të burgosur. Droga, e fshehur në trupin e zyrtarit, u zbulua gjatë një kontrolli të realizuar pas marrjes së informacioneve operative.

Ndërkaq, A.D., i cili në kohën e ngjarjes po vuante dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka nxitur të pandehurit e tjerë në kryerjen e veprës penale, duke organizuar dhe koordinuar futjen e substancës narkotike në institucion në këmbim të një shpërblimi financiar.

Prokuroria thekson se B.T. ka siguruar dhe dorëzuar drogën me synimin që ajo të futej në Qendrën Korrektuese në Dubravë, si dhe i ka ofruar 1 mijë euro zyrtarit korrektues (S.D.) për ta nxitur atë të vepronte në kundërshtim me detyrën zyrtare.

S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa A.D. për shtytje në kryerjen e kësaj vepre penale. B.T. akuzohet gjithashtu edhe për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, është propozuar që ndaj S.D. të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.