LDSM dhe VMRO-DPMNE kanë lëshuar me akuza të ndërsjella lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe rrugën evropiane të vendit. Nga LDSM akuzojnë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe qeverinë se po përgatiten në mënyrë të fshehtë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, pa transparencë ndaj publikut. Sipas opozitës, kjo mbështetet edhe në deklaratat e zëvendësministrit të Jashtëm, Zoran Dimitrovski, i cili ka konfirmuar se komisioni i përbashkët historik mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë po zhvillon takime të rregullta, transmeton Portalb.mk.
LDSM thekson se kërkesa kryesore e Bashkimit Evropian për përparimin e vendit është pikërisht përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, duke iu referuar edhe deklaratave të eurodeputetit Thomas Waitz. Ata vlerësojnë se paralajmërimet e Mickoskit për zgjidhjen e reformave deri në qershor tregojnë se kjo çështje po përgatitet në heshtje.
“Nëse Mickoski tani thotë ‘do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e reformës në qershor’, atëherë është mjaft e qartë, ai do t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë. Dëshmi për këtë është fakti që komisioni historik po mblidhet përsëri, dhe askush nga qytetarët nuk e di për këtë. Kur komisioni është duke punuar, kjo do të thotë që Mickoski po përgatitet në heshtje për atë që e mohoi publikisht”, thonë nga LSDM-ja.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë këto akuza, duke e cilësuar opozitën si të humbur dhe pa strategji për integrimin evropian. Partia në pushtet ka akuzuar liderin e LDSM-së, Venko Filipçe, për hipokrizi dhe mungesë qëndrueshmërie, duke pretenduar se ai është i gatshëm të bëjë lëshime ndaj interesave kombëtare për të ardhur në pushtet.
“Hipokrizia e Venkos nuk njeh fund. Çdo ditë në konferenca për shtyp ai trazon pendët, dhe kur ka mundësi për pyetje dhe përballje, ai ikën me vrap. Filipçe përsëri i shpëtoi pyetjeve parlamentare dhe nga Frankfurti u dërgon përshëndetje punëtorëve për Ditën Ndërkombëtare të Punës. Retorika evropiane e SDS-së dhe Filipçes është pa plan dhe pa drejtim. SDS dhe Filipçe janë deklarativisht pro-evropianë, por në realitet janë pa drejtim dhe strategji, duke u përpjekur të fshehin panikun dhe nervozizmin për shkak të rënies së vlerësimeve të tyre”, tha VMRO-DPMNE në reagimin e saj.
Derisa debati mes dy partive kryesore politike vazhdon të thellohet, çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe integrimit në Bashkimin Evropian mbetet një nga temat më të ndjeshme në skenën politike të vendit.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
