**Helmim masiv në Han të Elezit: Rreth 80 persona kërkojnë ndihmë mjekësore, 4 dërgohen në QKUK**

Rreth 80 persona në Han të Elezit dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të shpejtë. Katër prej tyre, në gjendje më të rënduar, janë dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Han të Elezit ka bërë të ditur se rreth 80 individë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të helmimit nga ushqimi. Dyshohet se helmimi ka ardhur nga konsumimi i picave dhe sanduiçëve.

Katër pacientë, gjendja shëndetësore e të cilëve ishte më serioze, janë transferuar në QKUK. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tyre është stabile.

Pas incidentit, inspektorë nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik kanë dalë në terren. Ata kanë kryer verifikime në QKMF dhe në biznesin ku dyshohet se ndodhi rasti i helmimit.

Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Rajonit të Ferizajt ende nuk ka ofruar detaje apo përgjigje publike.