Alban Skënderaj anulon koncertin në Vlorë, shkak situata dhe protestat
Këngëtari i njohur Alban Skënderaj ka njoftuar anulimin e koncertit të shumëpritur “Motiv”, i cili ishte parashikuar të mbahej në Vlorë gjatë muajit gusht.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti bëri të ditur se, pas muajsh përgatitjesh intensive me një staf të gjerë, është detyruar të marrë vendimin për ta anuluar ose shtyrë shfaqjen për një datë të pacaktuar.
Si arsye kryesore, Skënderaj përmendi situatën e krijuar në vend, e cila karakterizohet nga protestat e vazhdueshme kundër investimeve në Vlorë.
Në postimin e tij, Skënderaj theksoi: “’MOTIV’ ishte planifikuar të vinte si një produksion gjigand në Vlorë këtë gusht. Megjithatë, për shkak të situatës së krijuar në vend kam vendosur që koncerti i planifikuar në Vlorë të mos zhvillohet ose të shtyhet për një datë të pacaktuar.”
Ai theksoi gjithashtu se muzika për të është më shumë se një profesion; ai e cilësoi atë si një mision për të frymëzuar njerëzit, për të dhënë shpresë dhe për të bashkuar ata që jeta i ka ndarë.
