Ambasadori i Suedisë prezanton projektin për një kompleks golfi dhe rekreativ në Kosovë

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka bërë të ditur detaje mbi një projekt ambicioz për krijimin e një klubi golfi dhe qendre rekreative në Kosovë. Njoftimi u bë gjatë emisionit “Ora e Pasdites” në Klan Kosova.

Ambasadori Westerlund shpjegoi se ideja e këtij projekti i kishte lindur ende pa ardhur në Kosovë. “Ndërsa qëndroja në shtëpinë time verore një muaj para ardhjes sime në Kosovë, vura re se nuk ekziston asnjë klub golfi në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. E pashë këtë si një mundësi të shkëlqyer. Për mua, një klub golfi nuk lidhet vetëm me sportin e golfit, por synon të ofrojë një qendër rekreative ku familjet mund të kalojnë kohë të dielave. Ky projekt nuk do të jetë thjesht një klub golfi, por do të përfshijë edhe një hotel, pishinë, fusha tenisi dhe padeli, duke u kthyer në një pikëtakimi jashtë Prishtinës,” tha Ambasadori.

Ai shtoi gjithashtu se, ndonëse projekti nuk lidhet drejtpërdrejt me Lojërat Mesdhetare, ai do të shërbejë si një infrastrukturë mbështetëse e rëndësishme për këtë ngjarje.