Pas fitores bindëse 3-0 ndaj Haitit, atmosfera në kampin brazilian është përmirësuar ndjeshëm. Trajneri Carlo Ancelotti u shfaq i gëzuar në konferencën për shtyp dhe vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, duke zbuluar edhe një detaj interesant mbi punën që po bëhet brenda grupit.
Trajneri italian lavdëroi veçanërisht Matheus Cunhan, protagonistin e ndeshjes me dy golat e shënuar. “Matheus Cunha ishte i shkëlqyer. Ai i shkaktoi shumë probleme mbrojtjes kundërshtare, i shfrytëzoi në mënyrë perfekte hapësirat dhe tregoi efikasitet të madh para portës,” deklaroi Ancelotti.
“Don Carlo” foli edhe për Vinicius Juniorin, duke theksuar se objektivi nuk është që Kupa e Botës të varet nga një individ. “Vinicius ka ardhur në kushte shumë të mira, por ne nuk duam që ky të jetë Botërori i tij. Duam që të jetë Botërori i Brazilit. Tani synojmë ta mposhtim Skocinë dhe ta mbyllim grupin në vendin e parë.”
Trajneri i kombëtares braziliane paralajmëroi se përballja me Skocinë nuk do të jetë e lehtë, pasi kundërshtari ka treguar kualitet edhe ndaj Marokut. “Skocia ka karakteristika të qarta dhe i ka shkaktuar probleme Marokut. Mund ta bëjë edhe ndaj nesh. Ne duhet të qëndrojmë të qetë, të përqendruar dhe ta vazhdojmë lojën tonë.”
Një nga deklaratat që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ajo për rolin e psikologes së ekipit në përgatitjen e lojtarëve. “Psikologia po punon me ne dhe po na ndihmon shumë.”
Megjithatë, Ancelotti bëri të ditur se formacioni që triumfoi ndaj Haitit nuk është i pandryshueshëm. “Nuk dua t’i jap ekipit një identitet të palëvizshëm. Në ndeshjen e ardhshme mund të ndryshoj diçka.”
Brazili do të përballet me Skocinë në ndeshjen e fundit të grupit, ku do të synojë fitoren për të siguruar vendin e parë dhe për të hyrë me besim më të madh në fazën e eliminimit direkt.
