**Hoti paralajmëron ministren serbe: Do të kesh fatin e Millosheviqit**

Deklarata kërcënuese e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”, ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë.

Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, djali i veprimtarit të njohur Ukshin Hoti, deklaroi se kjo deklaratë dëshmon që Serbia nuk është shkëputur ende nga ideologjia gjenocidale.

Hoti reagoi ashpër, duke theksuar se Millosheviqi e provoi një gjë të tillë, por përfundoi si kriminel lufte dhe sot “han dhe”. Ai shtoi se Paunoviq do të kishte të njëjtin fat.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti shkroi: “Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik.”