Gjykata e Apelit e Kosovës ka ulur dënimin me burgim për Zhivojin Neshiqin, i cili ishte shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile. Dënimi i tij u reduktua nga 15 në 13 vjet burgim.
Gjykata e Apelit e miratoi pjesërisht ankesën e mbrojtjes së Neshiqit, duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të datës 17 qershor 2025, vetëm për sa i përket masës së dënimit. Në dënimin e ri prej 13 vjetësh, Neshiqit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke nisur nga data 4 mars 2024.
Më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me aktgjykimin e saj të datës 17 qershor 2025, e kishte shpallur fajtor Neshiqin për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, bazuar në nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, duke e dënuar me 15 vjet burgim.
Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmbante shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale. Ajo konstatoi se aktgjykimi i parë ishte i qartë, i kuptueshëm dhe në përputhshmëri të plotë me arsyetimin, duke përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat që plotësojnë elementet e veprës penale.
Kolegji gjykues i Apelit theksoi gjithashtu se gjykata e shkallës së parë nuk kishte bërë vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike. Ajo kishte administruar provat në mënyrë të rregullt, i kishte vlerësuar ato veçmas dhe në ndërlidhje reciproke, duke arritur në përfundime të argumentuara dhe ligjërisht të bazuara. Apeli vlerësoi se gjendja faktike ishte vërtetuar drejt dhe plotësisht mbi bazën e provave të pranueshme.
Po ashtu, kolegji konstatoi se gjykata e shkallës së parë kishte zbatuar drejt ligjin penal dhe se në rastin konkret ishin vërtetuar të gjitha elementet përbërëse të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të ish-Jugosllavisë.
Ndërrimi i vendimit, sipas Gjykatës së Apelit, u bë vetëm për sa i përket dënimit, pasi një dënim me 13 vjet burgim konsiderohet proporcional me shkallën e fajësisë së të pandehurit, me rrethanat konkrete të kryerjes së veprës penale dhe me nevojën për të shprehur dënimin shoqëror ndaj veprimeve që përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
