Gjykata e Apelit ka ulur dënimin për të akuzuarin për krime lufte nga 15 në 13 vjet burgim
**Prishtinë, 18 mars 2026** – Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit Zh.N., i cili ishte shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile. Dënimi me burgim për Zh.N. është ulur nga 15 në 13 vjet.
Vendimi i Gjykatës së Apelit, i marrë sot, vlen vetëm për lartësinë e dënimit, ndërsa pjesa tjetër e aktgjykimit që konfirmon fajësinë është vërtetuar. Në dënimin prej 13 vjetësh do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 4 mars 2024 e tutje.
Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e përfaqësueses së palës së dëmtuar, ndërsa ankesa e mbrojtjes së të akuzuarit është refuzuar pjesërisht si e pabazuar.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se gjykata e shkallës së parë nuk kishte bërë shkelje procedurale dhe kishte vërtetuar drejt gjendjen faktike, duke administruar provat në mënyrë të rregullt. Kolegji gjykues konsideroi se dënimi prej 13 vjetësh është proporcional me shkallën e fajësisë së të akuzuarit, me rrethanat konkrete të kryerjes së veprës penale dhe me nevojën për të shprehur dënimin shoqëror ndaj veprimeve që përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Zh.N. ishte dënuar fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 qershor 2025, me 15 vjet burgim për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
