Apple pritet të rrisë çmimet e produkteve të saj për shkak të rritjes së ndjeshme të kostos së çipave të memories, ka deklaruar shefi i kompanisë, Tim Cook.

Sipas BBC, Cook tha për Wall Street Journal se rritjet e çmimeve janë “të pashmangshme” dhe situata me çipat e memories është bërë “e paqëndrueshme”.

Ai nuk tregoi kur do të rriten çmimet dhe cilat produkte do të preken, por nuk përjashtohet as iPhone 18, që pritet të lançohet në shtator.

Rritja e kërkesës për pajisje të inteligjencës artificiale ka shkaktuar mungesë dhe shtrenjtim të çipave të memories, të cilët janë komponentë kyç në telefonat dhe pajisjet elektronike. Çmimi i RAM-it është më shumë se dyfishuar që nga tetori 2025.

Cook tha se Apple po përpiqet të mbrojë konsumatorët nga rritjet, por presioni i tregut është bërë i madh: kërkesa është rritur ndërsa furnizimi ka rënë.

Sipas tij, çmimet dhe furnizimi duhet të kthehen në nivele normale për produktet e konsumit.

Analistët parashikojnë se çmimi mesatar i smartfonëve globalisht mund të rritet rreth 20% në vitin 2026, ndërsa telefonat e rinj të Apple mund të kushtojnë deri në 150 dollarë më shumë.

Rritje çmimesh po raportojnë edhe kompani të tjera si Samsung, Sony dhe Nintendo, si dhe prodhuesit e çipave si TSMC.

Pavarësisht rritjeve, shitjet e Apple janë rritur ndjeshëm, të nxitura edhe nga kërkesa e fortë në Kinë.