**Vlorë, arrestohet 18-vjeçari: i gjenden armë lodër, maskë, përforcues grushti dhe kartëmonedha të falsifikuara**
Një 18-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Vlorë, pasi dyshohet se posedonte një pistoletë lodër, maskë, përforcues grushti dhe kartëmonedha të falsifikuara në prerje eurosh dhe dollarësh.
Sendet e lartpërmendura i janë gjetur të riut gjatë një kontrolli fizik të ushtruar nga efektivët e policisë.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se kapja në flagrancë e shtetasit me inicialet E. H., 18 vjeç, banues në Vlorë, u bë e mundur nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në lagjen “Lef Sallata”. Kjo ndërhyrje erdhi pas kontrolleve intensive në terren dhe mbi bazën e informacioneve operative.
Të gjitha mjetet e gjetura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedura penale për veprat “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Falsifikimi i monedhave”.
