**Arrestohet Bashkim Gashi, dyshohet për vrasjen e bashkëjetueses dhe zjarrvënie në Ulqin**

Policia malazeze ka arrestuar shtetasin kosovar Bashkim Gashi, 46 vjeç, i cili dyshohet se në orët e para të së mërkurës, në lagjen Kodre të Ulqinit, ka vrarë bashkëjetuesen e tij dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë ku jetonin.

Ngjarja është raportuar rreth orës 00:30, kur u sinjalizua për zjarr në një objekt banimi. Pas intervenimit të shërbimeve emergjente në vendngjarje, u gjet trupi i pajetë i një gruaje, e cila më vonë u identifikua si D.N., 36 vjeç, shtetase e Shqipërisë.

Pak kohë më pas, policia gjeti dhe shoqëroi një person me lëndime nga zjarri, i cili u identifikua si i dyshuari Gashi. Ai u dërgua fillimisht për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Bar, e më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë.

Burime nga policia bënë të ditur se në koordinim me prokurorinë kompetente, janë ndërmarrë të gjitha masat hetimore. Këto masa përfshijnë marrjen e deklaratave, sekuestrimin e kamerave të sigurisë dhe mbledhjen e provave materiale nga vendngjarja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Sipas dyshimeve fillestare, Gashi dyshohet për vrasje të rëndë dhe zjarrvënie, me qëllim fshehjen e gjurmëve.

Trupi i viktimës është dërguar për autopsi mjeko-ligjore në Qendrën Klinike të Malit të Zi, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

I dyshuari Gashi ndodhet nën mbikëqyrje policore në spital, ku po trajtohet për djegiet e marra, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë.