Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka marrë kontingjentin e parë të protezave të gjurit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve ortopedike. Paralelisht me këtë furnizim, ka nisur edhe procesi i decentralizimit të listave të pritjes për ndërhyrje ortopedike.

Ky furnizim, i destinuar për Klinikën e Ortopedisë në QKUK, pritet të përmirësojë ndjeshëm qasjen e pacientëve në shërbimet mjekësore dhe të adresojë nevojat për vendosjen e protezave të gjurit.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, është iniciuar decentralizimi i listave të pritjes për vendosjen e protezave të gjurit dhe të kokërdhokullës. Qëllimi i këtij procesi është shpërndarja proporcionale e rasteve mes QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme rajonale, duke u bazuar në kapacitetet dhe mundësitë e tyre për trajtim.

Ky organizim synon të lehtësojë barrën e listave të gjata të pritjes, të rrisë efikasitetin e shërbimeve shëndetësore dhe t’u ofrojë pacientëve trajtim më afër vendbanimit të tyre. Në këtë mënyrë, shmanget nevoja që të gjitha rastet të drejtohen vetëm në QKUK.

Nga QKUK-ja është njoftuar se ky proces përbën një hap thelbësor drejt ndërtimit të një sistemi shëndetësor më të qasshëm, më efikas dhe më të orientuar drejt nevojave të pacientëve.