Arsenali: Drejt rekordeve historike me 38 fitore, afër thyerjes së arritjeve legjendare

Arsenali vazhdon të shkruajë historinë. Skuadra londineze ka arritur shifrën mbresëlënëse prej 38 fitoresh sezonale, një rekord i pare prej sezonit 2001-2002.

Në atë kohë, Thierry Henry bashkë me shokët e skuadrës e kishin përmbyllur sezonin me 39 fitore, sipas “Gazeta Express”.

Kjo është një ecuri e jashtëzakonshme për ekipin e drejtuar nga Mikel Arteta, i cili po dominon në të gjitha garat dhe po konfirmon rritjen e vazhdueshme të viteve të fundit.

Ekipi londinez i ka arritur këto fitore në Ligën e Kampionëve, Premier Ligë, FA Cup dhe Kupën e Ligës (Carabao Cup).

Për të gjetur një Arsenal me një ecuri të ngjashme fitoresh, duhet të kthehemi pikërisht në sezonin 2001-2002, kur skuadra e drejtuar nga Arsène Wenger arriti të fitonte titullin kampion në Angli dhe FA Cup, duke realizuar “dopietën” historike të trofeve.

Këto shifra konfirmojnë një cikël të ri suksesi për “Topçinjtë”, të cilët tashmë synojnë ta përmbyllin sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të pasurojnë vitrinat e klubit me trofe.

Me këtë ritëm, “Topçinjtë” janë shumë pranë rekordit absolut të klubit, atij prej 41 fitoresh të regjistruara në sezonin 1970/71.