Trump dhe zyrtarë të administratës, objektiv i mundshëm i të shtënave në Darkën e Korrespondentëve
Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe zyrtarë të administratës së tij ishin objektivat e mundshme të një personi të armatosur, i cili tentoi të sulmonte Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
I dyshuari, 31-vjeçari Cole Tomas Allen, i identifikuar nga mediat amerikane, u arrestua pasi policia njoftoi se ai hapi zjarr pranë një pike kontrolli sigurie gjatë ngjarjes, e cila po mbahej në një hotel në Uashington DC, të shtunën.
Blanche, në një deklaratë për NBC News, theksoi se motivi i të dyshuarit është ende nën hetim. Megjithatë, gjetjet paraprake sugjerojnë se ai synonte zyrtarë të administratës, raportoi BBC.
Divizioni kriminal i FBI-së dhe grupi i punës për terrorizmin po hetojnë incidentin.
Trump, i cili u largua me nxitim nga vendi i ngjarjes drejt një zone të sigurt, u shpreh para gazetarëve në një konferencë shtypi pas të shtënave të shtunën: “Nuk mund ta imagjinoj se ka ndonjë profesion më të rrezikshëm”.
Në një deklaratë të dielën, Shtëpia e Bardhë bëri me dije se Trump “qëndron i patrembur” pasi, së bashku me anëtarët e kabinetit, i mbijetoi një “përpjekjeje për vrasje” kur u dëgjuan të shtëna.
Presidenti i Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë e cilësoi sulmin “të tmerrshëm”.
Gjithashtu të dielën, Weijia Jiang, Presidentja e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e cila ishte ulur pranë Trump në darkë, falënderoi Shërbimin Sekret për veprimet që “mbrojtën mijëra mysafirë”.
