**Azemi: Kosova e ka humbur luftën me vdekjet e punëtorëve**

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar për RTK-në se Kosova po përballet me një situatë alarmante lidhur me sigurinë në punë, duke theksuar se vendi “e ka humbur luftën” në raport me vdekjet e punëtorëve në sektorin privat.

“E kemi humbur luftën lidhur me vdekjet e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës. Vitet e fundit kanë shënuar raste të shumta fatkeqe për punëtorët, ndërsa edhe ky vit ka nisur me një gjendje shumë të rëndë,” u shpreh Azemi.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTK-në, Azemi foli edhe për aksidentin tragjik të fundit në një vendpunishte në Prishtinë, ku nga rrëzimi i një vinçi humbi jetën një punëtor i ri, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.

Ai theksoi se humbja e jetës së një punëtori të ri përbën një tragjedi të rëndë për familjen, komunitetin e punëtorëve dhe mbarë shoqërinë kosovare.

“Fatkeqësisht, të humbësh një punëtor të ri është tejet e dhimbshme për të gjithë Kosovën. Është shumë e tmerrshme kur familja pret që ai të kthehet në shtëpi, por përballet me një tragjedi të tillë,” tha Azemi.

Kreu i Sindikatës shprehu shqetësim edhe për praninë e një 18-vjeçari në vendpunishte, duke kërkuar hetime të thelluara nga institucionet përgjegjëse.

Azemi tha se po pret rezultatet e hetimeve nga Inspektorati i Punës, Policia dhe Prokuroria, por shtoi se, sipas informacioneve paraprake që ka marrë, në këtë rast dyshohet se faktori njerëzor ka qenë shkaku kryesor i aksidentit.

“Do të presim çfarë do të konkludojë Inspektorati i Punës dhe Prokuroria. Brenda dy ose tri ditëve besoj se do të dihen të gjitha detajet. Sot mund të themi se faktori njerëzor është shkaku pse ka ndodhur ky rast,” deklaroi ai.

Duke komentuar deklaratën e Inspektoratit Qendror të Punës se vendpunishtja nuk ishte inspektuar më parë, pasi ndodhej në fazën fillestare të punimeve, Azemi theksoi se, megjithëse inspektorët nuk mund të jenë në çdo vend, problemi kryesor mbetet mungesa e sanksioneve të mjaftueshme ndaj kompanive që nuk respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.