Një statistikë unike në historinë e futbollit anglez u regjistrua pas përfundimit të barazimit 0-0 mes Hull dhe Aston Villa të shtunën.

Aston Villa mori pikën e parë të sezonit në stadiumin “MKM”, megjithëse regjistroi vetëm një goditje në kuadratin e portës, pavarësisht se dominoi në posedim ndaj Hull.

Për Hull, ky ishte pikërisht 0-0 i dytë i ditës, pas ndeshjes Nottingham Forest-Tottenham, e cila gjithashtu përfundoi pa gola. Si rezultat, u krijua një statistikë e jashtëzakonshme në futbollin anglez.

Aston Villa dhe Tottenham kanë dështuar të shënojnë në secilën prej tri ndeshjeve të tyre të para në Premierligë këtë sezon. Villa humbi 4-0 ndaj Brightonit dhe më pas 1-0 në shtëpi kundër Arsenalit të hënën.

Tottenham, ndërkohë, u mposht 3-0 nga Brentfordi në javën hapëse, përpara se të humbiste 2-0 në shtëpi ndaj Newcastle.

Së bashku me Coventry, e cila gjithashtu nuk ka shënuar ende, kjo do të thotë se, sipas “OptaJoe”, ky është sezoni i parë në historinë e elitës së futbollit anglez – që nga themelimi i saj në vitin 1888 – ku tri skuadra të ndryshme kanë dështuar të gjejnë rrjetën në tri ndeshjet e para të sezonit.

Frank Lampard dhe skuadra e tij, “Sky Blues”, patën një kalendar të vështirë pas rikthimit në elitë për herë të parë pas 25 vitesh, me ndeshje si mysafirë ndaj Manchester Cityt – ndaj të cilit humbën 1-0 të shtunën – dhe Arsenalit.

Ndeshja në shtëpi ndaj Hull, e vendosur mes këtyre dy përballjeve, ishte parë si një mundësi e artë për Coventryn për të regjistruar fitoren e parë pas rikthimit në Premierligë.

Megjithatë, ata humbën 1-0 pas golit të vonshëm të Liam Millar në pjesën e dytë.

Aston Villa është detyruar të riformojë një pjesë të madhe të skuadrës pas largimit të disa lojtarëve gjatë verës. Megjithatë, trajneri Unai Emery deri tani ka vazhduar t’u besojë kryesisht lojtarëve që kishte në dispozicion sezonin e kaluar, ndërsa gradualisht po integron 10 afrimet e reja.

Nga këto transferime, vetëm Zion Suzuki dhe Nicolas Jackson e nisën ndeshjen ndaj Hull si titullarë. Alejandro Garnacho, Alysson, Aaron Wan-Bissaka dhe Matteo Ruggeri u aktivizuan nga stoli, ndërsa Ibrahim Mbaye mbeti zëvendësues i papërdorur. Joao Gomes mungoi për shkak të pezullimit, ndërsa Johan Manzambi vazhdon të rikuperohet nga dëmtimi.

Te Tottenham, gjatë afatit kalimtar të verës u autorizua një shpenzim prej rreth 400 milionë paundësh, por investimi ende nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.

Trajneri i Tottenhamit, Roberto De Zerbi, deklaroi pas barazimit 0-0 ndaj Nottingham Forest në “City Ground” se ishte “i lumtur me shpirtin e skuadrës”, por theksoi se ka disa aspekte që duhet të përmirësohen.

“Mendoj se luajtëm mirë, por në një të tretën e fundit të fushës duhet të përmirësohemi”, tha ai. “Duhet të marrim vendimet më të mira. Duhet të jemi më të qetë kur jemi shumë pranë realizimit të diçkaje të rëndësishme në të tretën e fundit. Më kujtohet rasti kur Marmoush gjuajti në portë, mënyra se si Robertson po bëhej pjesë e aksionit në krah. Nëse marrim vendimin e duhur dhe luajmë me Robertsonin, atëherë në shtyllën e dytë do të ishte Kudus për të shënuar. Ose sa shumë harkime përfunduan përtej shtyllës së dytë? Mathys Tel, dy herë. Savio, një herë. Mendoj se te Savio ishte çështje e vendimit të fundit. Edhe topi i Pedro Porros drejt Mateus Fernandesit, kur ai luajti me Kudus, dhe më pas për goditjen me kokë të Solankes. Mateus ishte krejtësisht i lirë për të avancuar dhe për të shënuar”, tha ai./GazetaExpress/