Barcelona shqyrton transferimin e Vedat Muriqit për 15 milionë euro
Reprezentuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një sezon fantastik me Mallorcan, duke u kthyer në një prej figurave kyçe të sulmit në La Liga.
Sulmuesi kosovar ka shënuar 21 gola këtë edicion, duke konfirmuar formën më të mirë në karrierë dhe duke qenë një nga shtyllat kryesore të skuadrës spanjolle gjatë gjithë sezonit.
Paraqitjet e tij të shkëlqyera nuk kanë kaluar pa u vënë re në tregun evropian. Sipas mediave spanjolle, FC Barcelona po e shqyrton seriozisht kandidaturën e Muriqit si një opsion për përforcimin e repartit ofensiv.
Klubi katalanas po kërkon alternativa më efektive dhe më të përballueshme financiarisht për sulmin, ndërsa Muriqi shihet si një tipologji e ndryshme sulmuesi nga ata aktualë në skuadër.
Ajo që e bën veçanërisht tërheqës për Barcelonën është fiziku i tij i fuqishëm, aftësia në duelet ajrore dhe rrezikshmëria e vazhdueshme brenda zonës së penalltisë. Po ashtu, përvoja e gjatë në La Liga konsiderohet një avantazh i madh për një përshtatje të menjëhershme.
Raportimet theksojnë se një transferim i mundshëm mund të jetë i arritshëm financiarisht, me kartonin e tij që vlerësohet rreth 15 milionë euro, një shifër e përballueshme për kushtet aktuale të klubit katalanas.
Nëse ky transferim materializohet, Muriqi do të kishte mundësinë të bëjë hapin më të madh të karrierës së tij, duke u bërë pjesë e një prej klubeve më të mëdha në futbollin evropian.
