Bashkimi Evropian mirëpret zgjedhjen e presidentit të Kosovës, por thekson nevojën urgjente për kompensimin e kohës së humbur dhe përshpejtimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, i cili parashikon përfitime prej mbi 882 milionë eurosh për vendin. Afati i ardhshëm i raportimit për këtë plan është janari i vitit 2027.

Për shkak të mosfunksionimit të kuvendit për një kohë të gjatë, Kosovës, sipas Bashkimit Evropian, i ka kaluar afati për zbatimin e 13 nga 64 hapat reformues, të parashikuar fillimisht për qershor të këtij viti. Kërkesa e parë zyrtare e Kosovës për disbursimin e fondeve, dorëzuar në korrik, aktualisht po shqyrtohet.

Në një përgjigje me shkrim për televizionin Dukagjini, BE-ja ka theksuar se, “ashtu si të gjithë përfituesit e tjerë të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, Kosova rrezikon të humbasë fondet nëse nuk përmbush një hap brenda periudhës shtesë të lejuar.” Kjo periudhë ka përfunduar në fund të qershorit 2026 për 13 nga 64 hapat, të cilët fillimisht ishin parashikuar të përmbusheshin në qershor 2025. Shërbimet e Komisionit Evropian po e vlerësojnë aktualisht kërkesën e Kosovës. Afati i radhës për raportim është në janar 2027, kur përfundon periudha shtesë e lejuar për hapat e parashikuar fillimisht për dhjetor 2024 dhe dhjetor 2025.

Ndërkohë, institucionet kosovare, tashmë të konsoliduara, shprehen se nuk ka më pengesa për avancimin e reformave. Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, konfirmon se ministria që ajo drejton ka prezantuar në lexim të parë ligjin për sipërmarrjen dhe investimet, një prej objektivave kyç të Planit të Rritjes, i cili duhet të miratohet në lexim të dytë deri në fund të dhjetorit. Ajo nuk sheh asnjë problem që ky ligj të procedojë pa pengesa.

Gjithashtu, drejtori i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, Emrush Ujkani, thekson nevojën që institucionet të fillojnë punën sa më shpejt për të përfituar maksimalisht nga Plani i Rritjes. “Nuk kemi kohë për të humbur, dhe institucionet e vendit, shoqëria, kanë shumë nevojë për këtë mbështetje”, tha Ujkani.

Vlen të theksohet se, më 16 prill 2026, Komisioni Evropian ka lëvruar 61.8 milionë euro në formë financimi paraprak për Kosovën, në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Kjo erdhi pas ratifikimit nga Kosova, në fillim të muajit shkurt, të Marrëveshjeve për Instrumentin dhe për Huamarrjen.