Bayern Munich po përgatit një kontratë të re dhe një rritje të ndjeshme page për Michael Olise, ndërkohë që interesi nga Real Madrid dhe Liverpool po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Sipas raportimit të “Mirror”, drejtuesit e kampionit gjerman nuk kanë ndërmend ta shesin anësorin francez dhe janë duke punuar për të siguruar të ardhmen e tij afatgjatë në “Allianz Arena”.

Olise ka qenë një nga futbollistët më të dalluar të Bayernit që kur u transferua në Gjermani, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të vlerësuar në pozicionin e tij. Paraqitjet e tij mbresëlënëse kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, si Real Madridi dhe Liverpooli, të cilat po monitorojnë nga afër situatën e tij.

Megjithatë, Bayern dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë: francezi konsiderohet pjesë kyçe e projektit të klubit për vitet në vijim. Një kontratë e re me kushte financiare më të mira pritet të jetë hapi i radhës për të shuar çdo dyshim rreth të ardhmes së 24-vjeçarit.

Nëse marrëveshja arrihet, Olise do të shpërblehet për formën e shkëlqyer të treguar me fanellën e Bayernit, ndërsa klubi bavarez do të sigurojë një nga talentet më të rëndësishme të futbollit evropian për një periudhë më të gjatë.