Bashkimi Evropian kërkon stabilitet institucional për avancimin e Kosovës

Bashkimi Evropian ka theksuar se Kosovës i nevojitet stabilitet institucional i qëndrueshëm për të shfrytëzuar plotësisht vrullin e ri të zgjerimit, si dhe mundësitë që ofrojnë Plani i Rritjes dhe Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA).

Kjo deklaratë erdhi gjatë një takimi ndërmjet shefes në detyrë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, dhe Drejtoreshës për Zgjerimin e BE-së dhe Fqinjësinë Lindore e Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.

Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së, Superti pritet të zhvillojë takime të mërkurën me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile. Këto takime do të fokusohen në diskutimet për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Zyra e BE-së në Kosovë, në njoftimin e saj, theksoi edhe një herë rëndësinë jetike të stabilitetit institucional për përfitimin maksimal nga Plani i Rritjes, IPA-ja dhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.