**Bebe Rexha kundërshton komentet fyese për trupin: “Më bezdisin”**

Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, i është përgjigjur ashpër komenteve fyese në rrjetet sociale, të cilat adresojnë trupin dhe gjoksin e saj, pas një periudhe shtimi në peshë.

Artistja 37-vjeçare publikoi të dielën një seri mesazhesh në platformën X, ku shprehu hapur ndjenjat e saj lidhur me vëmendjen e tepruar ndaj pamjes fizike.

“Nuk di çfarë të bëj me gjoksin tim. Është bërë shumë më i madh dhe më bezdisin burrat heteroseksualë në komentet e mia që fokusohen vetëm te kjo. Por, nga ana tjetër, një vajzë prapë dëshiron të vishet seksi,” shkroi ajo. Më pas, me humor, shtoi: “Nuk e di, na duhet një aplikacion vetëm për vajzat dhe komunitetin gej.”

**Standardet e dyfishta për gratë me forma**

Në një tjetër postim drejtuar dy milionë ndjekësve të saj, Rexha trajtoi standardet e dyfishta që, sipas saj, ekzistojnë ndaj grave me forma. “Më duket sikur, kur vajzat me trup më të lakuar veshin diçka të ngushtë, menjëherë perceptohen si tepër provokuese,” theksoi ajo.

Një ndjekës e pyeti nëse shtimi i fundit në peshë lidhej me Sindromën e Vezoreve Policistike (PCOS), një gjendje shëndetësore për të cilën Bebe ka folur publikisht më parë. Këngëtarja u përgjigj se PCOS ishte një prej faktorëve, duke shtuar me humor edhe se kishte ngrënë “shumë bukë”. PCOS është një gjendje kronike hormonale dhe metabolike që, ndër të tjera, mund të shoqërohet edhe me prirje për shtim në peshë.

**Një histori e gjatë me luhatjet e peshës**

Rexha ka qenë prej kohësh transparente për luhatjet e peshës dhe ndikimin e komenteve publike tek ajo. Në vitin 2023, ajo publikoi në Instagram një fotografi ku ngrinte bluzën për të treguar barkun dhe shkroi: “Po, jam në fazën time me më shumë kilogramë. Dhe çfarë pastaj?”

Në të njëjtën periudhë, gjatë një paraqitjeje në “The Jennifer Hudson Show”, ajo foli për presionin që vjen nga të qenit personazh publik. “Jemi në syrin e publikut, kështu që në një farë mënyre këto gjëra do të ndodhin,” tha ajo.

Bebe ka theksuar se njerëzit nuk e dinë gjithmonë se çfarë po kalon dikush në jetën private dhe se komentet për peshën mund të jenë të dhimbshme. “Duhet të kishim kaluar tashmë përtej pikës ku flasim vazhdimisht për peshën e njerëzve,” deklaroi ajo.

Këngëtarja nuk e ka fshehur asnjëherë se e shijon ushqimin dhe shpesh e ka trajtuar këtë temë me humor. “Më pëlqen të ha, në rregull? Më pëlqen ushqimi,” u shpreh ajo, ndërsa Jennifer Hudson iu përgjigj: “Nuk ka asgjë të keqe me këtë.”

Ajo kishte treguar më parë se ishte mërzitur kur pa frazën “Bebe Rexha weight gain” (Bebe Rexha shtim në peshë) duke u kërkuar masivisht në TikTok. “Të shohësh atë në shiritin e kërkimit është shumë demoralizuese. Nuk jam e zemëruar sepse është e vërtetë, kam shtuar në peshë. Por gjithsesi të lëndon. Faleminderit të gjithë atyre që më duan pavarësisht gjithçkaje,” shkroi ajo në prill të vitit 2023. Ajo gjithashtu pranoi se ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të komplikuar me peshën. “Gjithmonë kam luftuar me peshën time. Më pëlqen të ha. Po punoj me veten çdo ditë, thjesht tani jam pak e dekurajuar,” u tha ajo ndjekësve.

**Përgjigje me promovimin e albumit**

Edhe në maj, Bebe Rexha ishte përballur me komente negative për trupin pas paraqitjes së saj në “American Music Awards”. Disa përdorues në rrjetet sociale e tallën për format e saj trupore dhe madje bënë komente për përdorimin ose jo të ilaçeve për dobësim. Bebe zgjodhi të mos hynte në debat dhe u përgjigj me ironi: “Mendimi im është… albumi im i ri ‘Dirty Blonde’ del më 12 qershor. Mund ta porosisni që tani.”

Me reagimet e fundit, Rexha vazhdon të flasë hapur për presionin që gratë në industrinë e muzikës përjetojnë për pamjen fizike dhe mënyrën se si trupat e tyre komentohen publikisht.