Begaj në Prishtinë: Haga s’mund të ndryshojë të vërtetën e UÇK-së; Thaçi dhe të tjerët mbahen padrejtësisht
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë të premten në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Begaj vlerësoi sakrificën e luftëtarëve të lirisë, rolin thelbësor të aleatëve perëndimorë dhe partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fjalimin e tij, Presidenti Begaj e quajti 12 Qershorin një datë të gdhendur thellë në kujtesën historike të kombit shqiptar. Ai theksoi se liria e Kosovës erdhi si rezultat i sakrificës së mijëra burrave e grave, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tyre perëndimorë. Begaj nderoi figurat historike të Kosovës, përfshirë Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin dhe Adem Demaçin, duke i cilësuar si simbole të rezistencës dhe të shtetformimit të Kosovës.
Gjatë fjalimit, ai iu referua edhe procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Begaj deklaroi se ata po përballen me një “padrejtësi të madhe historike”. Ai theksoi se “asnjë gjykatë dhe asnjë tentativë për të rishkruar historinë nuk mund ta deformojë të vërtetën e madhe se UÇK-ja nuk ishte agresori, por mburoja e një populli që po shfarosej”.
Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve, Presidenti u shpreh se Shqipëria dhe Kosova janë “dy shtete të të njëjtit komb”. Ai nënvizoi se Tirana do të vijojë të mbështesë pa kushte integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Begaj shtoi se përballë sfidave të reja gjeopolitike, Kosova duhet të përshpejtojë ndërtimin e institucioneve të reja, forcimin e shtetit ligjor dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare, duke theksuar se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj mbetet prioritet.
“Shqipëria është dhe do të jetë mbështetja juaj e palëkundur, e pakushtëzuar dhe e përjetshme”, deklaroi Presidenti nga Prishtina, duke përcjellë urimet për 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të rënë në luftë.
