Mediet iraniane raportuan sot se negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit kanë marrë fund, pas javësh ngërçi në bisedime dhe në sfondin e konfliktit të vazhdueshëm në Liban.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), prej disa ditësh nuk është zhvilluar asnjë takim mes përfaqësuesve iranianë dhe amerikanë.
Edhe agjencia Tasnim raportoi dje se bisedimet indirekte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndërprerë si pasojë e sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban, ku forcat izraelite kanë në shënjestër lëvizjen Hezbollah, të mbështetur nga Irani.
Tasnim shtoi se nuk do të ketë bisedime të mëtejshme për sa kohë që vazhdojnë armiqësitë në Liban. Kryenegociatori iranian dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi në rrjetin social X se, nëse agresioni izraelit ndaj Libanit vazhdon, jo vetëm që rruga e negociatave do të bllokohet, por mund të ketë edhe “përballje të drejtpërdrejtë me armikun”.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në platformën e tij Truth Social se bisedimet me Teheranin po vazhdojnë me një ritëm “të shpejtë”.
Presidenti Trump njoftoi gjithashtu një ndërprerje të luftimeve në Liban, ndërsa bisedimet mes Izraelit dhe Libanit pritet të vazhdojnë nesër në Washington.
