Botërori 2026: Përleshje mes protestuesve dhe policisë jashtë stadiumit “Azteca”

Tensione të forta u regjistruan jashtë stadiumit legjendar “Azteca” në Ciudad de México, paralelisht me zhvillimin e ndeshjes hapëse të Botërorit 2026 mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.

Sipas raportimeve të mediave lokale, protestuesit u përleshën me forcat e rendit pranë perimetrit të stadiumit.

Demonstruesit, të cilët kërkonin drejtësi për personat e zhdukur në Meksikë, arritën të zhvendosnin disa nga barrierat e sigurisë të vendosura përreth stadiumit, gjë që provokoi ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.

Situata degjeneroi shpejt në përleshje mes palëve, teksa forcat e rendit u përpoqën të rivendosnin kontrollin në zonë.

Pavarësisht incidenteve të dhunshme jashtë stadiumit, ndeshja inauguruese e Botërorit u zhvillua pa probleme brenda impiantit sportiv, ku mijëra tifozë ishin të pranishëm për ceremoninë e hapjes dhe takimin mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. /Gazeta Express