Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar dy rregullore të reja, duke forcuar ndjeshëm mbrojtjen e konsumatorëve dhe transparencën në sektorin e sigurimeve. Këto rregullore vendosin standarde të reja për zhvillimin, shpërndarjen e produkteve, informimin, kostot dhe reklamimin, duke shtrirë mbrojtjen e klientit përgjatë gjithë ciklit jetësor të një produkti sigurimi.

Njëra prej tyre, “Rregullorja për Zhvillimin, Shpërndarjen dhe Qeverisjen e Produkteve të Sigurimit,” kërkon që produktet të dizajnohen dhe shpërndahen duke pasur parasysh nevojat, objektivat dhe profilin e rrezikut të klientëve.

Ndërsa rregullorja tjetër, “Rregullorja për Informimin, Reklamimin, Kostot dhe Transparencën ndaj Klientëve në Sigurime,” përcakton standarde të reja për cilësinë dhe transparencën e informacionit që u jepet klientëve para dhe gjatë lidhjes së kontratës. Kjo rregullore detajon informacionin për karakteristikat e produktit, mbulimin, kufizimet, çmimet, kostot dhe tarifat, si dhe të drejtat e detyrimet e tyre.

Një risi kyçe është standardizimi i “Dokumentit Informues për Produktin e Sigurimit” (DIPS) për sigurimet jo-jetë. Ky dokument do t’u mundësojë konsumatorëve të kenë informacion të përmbledhur dhe të krahasueshëm për elementet thelbësore të një produkti, para se të lidhin kontratën.

Për herë të parë, rregulloret adresojnë edhe konsumatorët e cenueshëm, duke detyruar siguruesit dhe ndërmjetësuesit të ofrojnë trajtim të drejtë dhe qasje të lehtë në informacion dhe shërbime. Gjithashtu, trajtohet komunikimi përmes kanaleve digjitale, duke kërkuar vlerësimin e qartësisë dhe efektivitetit të informacionit të dhënë.

Këto rregullore forcojnë edhe përgjegjësinë e drejtuesve dhe funksioneve të kontrollit të brendshëm në institucionet e sigurimit, për zbatimin dhe monitorimin e standardeve të reja.

Me këtë kornizë të re, BQK synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në tregun e sigurimeve, të parandalojë praktikat abuzive të shitjes, të fuqizojë vendimmarrjen e informuar të konsumatorëve dhe të ndërtojë besim më të madh në këtë sektor.