Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për zbardhjen e plotë të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se “e vërteta dhe drejtësia janë domosdoshmëri” dhe duke shprehur mbështetjen për familjet e viktimave.

Zëvendësambasadorja britanike në Kosovë, Agnes Annells, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore, së bashku me familjarë të personave të zhdukur, ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

Ambasada Britanike bëri me dije se Mbretëria e Bashkuar përkrah një qasje për menaxhimin e pasojave të luftës, e cila i vendos viktimat në qendër. Sipas deklaratës së Ambasadës, “kjo qasje duhet të kërkojë të vërtetën, të ruajë dinjitetin dhe të sigurojë përkujtimin për të gjithë ata që janë prekur.”

Në homazhe ishte i pranishëm edhe i ngarkuari me punë i Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda. “E vërteta dhe drejtësia për personat e zhdukur janë domosdoshmëri,” theksohej në mesazhin e BE-së.

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kërkuan vazhdimin e përpjekjeve për gjetjen dhe identifikimin e personave që ende rezultojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999.